Parimet e demokracisë dhe vlerat që ajo trashëgon janë themelet e shoqërisë së sotme, por ne nuk u përmbahemi plotësisht këtyre parimeve. Nëse përpiqemi për një shoqëri në të cilën respektohen vlerat demokratike, është e nevojshme përpjekja për pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve. Prandaj, është e nevojshme të sigurohet një hapësirë ku fëmijët dhe të rinjtë mund të marrin pjesë në vendimmarrje në mënyrë të barabartë dhe të bëhen qytetarë aktivë që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë së tyre. Përveç kësaj, rëndësia e jashtëzakonshme e hapësirës qytetare për të rinjtë referohet edhe në ofrimin e bazave për zhvillimin e tyre social, emocional dhe intelektual. Kjo i referohet hapësirave publike, institucioneve, organizatave dhe aktiviteteve që inkurajojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe mundësojnë ndërveprimin e lirë dhe shprehjen e ideve.
Përmes lojës, diskutimeve dhe bashkëpunimit me bashkëmoshatarët, fëmijët mësojnë se si të lidhen me të tjerët, të zhvillojnë frymën e ekipit dhe të kuptojnë diversitetin. Për këtë arsye është e domosdoshme t’u jepet mundësia për të fituar njohuri për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera të rëndësishme, sepse përmes pjesëmarrjes në aktivitete sociale fëmijët në mënyrë më të lehtë zhvillojnë vetëdijen qytetare dhe bëhen anëtarë aktivë të shoqërisë. Gjithashtu, hapësirat qytetare ofrojnë mundësinë e gjithëpërfshirjes, barazisë dhe mbështetjes për fëmijët që përballen me forma të ndryshme të margjinalizimit. Prandaj, fëmijëve assesi nuk duhet t’u mohohet e drejta për të shprehur lirisht mendimet, idetë dhe talentet e tyre. Përmes aktiviteteve artistike, avokimit publik, shkrimit dhe formave të tjera të shprehjes, fëmijët zhvillojnë vetëbesimin dhe krijimtarinë, dhe gjithashtu mësojnë se si të dëgjojnë dhe respektojnë qëndrimet e të tjerëve.
Ka disa arsye pse është e nevojshme t’u jepet hapësirë qytetare fëmijëve që përballen me margjinalizimin dhe fëmijëve me pengesa në zhvillim. E para është gjithëpërfshirja, e cila, si parim themelor i zhvillimit të hapësirës qytetare, i përshtatet nevojave të të gjithë fëmijëve, pavarësisht në çfarëdo ndryshime, dhe ofron të gjithëve një mundësi të barabartë që të kyçen në mënyrë aktive në shoqëri. Në këtë mënyrë, hapësira të tilla u mundësojnë fëmijëve të ndihen të pranuar dhe të vlerësuar, dhe me këtë krijohet një atmosferë barazie dhe mbështetjeje.
Së dyti, aftësia për të zhvilluar vetëbesimin dhe aftësitë sociale është po aq e rëndësishme ashtu që të rinjtë zhvillojnë pavarësinë. Duke marrë pjesë në aktivitete, fëmijët inkurajohen të shprehin idetë e tyre dhe të lidhen me bashkëmoshatarët. Kjo mund të rrisë ndjenjën e tyre të vlerës personale dhe t’u mundësojë atyre të bëhen pjesëmarrës aktivë në aktivitetet shoqërore.
Megjithatë, ekzistojnë edhe sfida me të cilat përballen prindërit, fëmijët me pengesa në zhvillim dhe fëmijët nga grupet e margjinalizuara, siç janë mospranimi, mosrespektimi, qasja e kufizuar në kujdesin e duhur shëndetësor dhe social, mungesa e informacionit në nivelin e të drejtave dhe shërbimeve, ndërsa paragjykimet dhe stigmatizimi në shoqëri janë një problem relativisht i shpeshtë. Kjo mund të çojë deri të ndjenja e inferioriteti, uljen e vetëbesimit dhe në ndikim negativ në mirëqenien dhe ndërveprimin shoqëror të të rinjve.
Gjithashtu, fëmijët mund të përballen me sfida kur marrin pjesë në lojë dhe kohë të lirë. Pengesat fizike, mungesa e fushave të lojërave të qasshme ose kufizimet brenda komunitetit mund të kenë një ndikim negativ në aftësinë e tyre për të luajtur dhe për të shijuar aktivitete.
Një problem i madh për fëmijët nga grupet e margjinalizuara mund të jetë mungesa e qasjes në materialet arsimore, interneti, mjetet e komunikimit ose mjetet teknologjike, gjë e cila mund t’i pengojnë ata të shfrytëzojnë potencialin e plotë të arsimit dhe zhvillimit. Ata janë të ekspozuar në rrezik më të lartë të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit, ndërsa mund të jenë më pak të aftë për të mbrojtur veten, të raportojnë incidente ose të marrin mbështetje.
Të gjitha të theksuarat janë arsye pse është e rëndësishme të sigurohet një mjedis i sigurt dhe mekanizma adekuat për mbrojtjen e fëmijëve. Mungesa e platformave gjithëpërfshirëse për vendimmarrje, mbështetja e pamjaftueshme për shprehjen dhe mungesa e dëgjimit për zërat e tyre mund të kontribuojnë në përjashtimin e tyre nga procesi i vendimmarrjes dhe të zvogëlojnë pjesëmarrjen e tyre. Këta shembuj ilustrojnë pabarazitë me të cilat përballen fëmijët nga grupet e margjinalizuara dhe fëmijët me pengesa në zhvillim në aspekte të ndryshme të jetës së tyre.
Prandaj, theksi i hapësirës së hapur qytetare duhet të vendoset në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës që siguron qasje të barabartë në burime, mbështetje dhe mbrojtje për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga specifikat e tyre.






